Hulumtime MINBER

Shkaqet që e çojnë njeriun bashkëkohor drejt varësisë spiritualiste

Home » Shkaqet që e çojnë njeriun bashkëkohor drejt varësisë spiritualiste

Spiritualizmi dhe masivizimi i tij

Koncepti i spiritualizmit rrjedh nga fjala latine “spiritus”, që do të thotë “shpirt”, dhe në turqishten e sotme emërtohet si ruhçuluk (spiritualizëm). Kjo rrymë mendimi, e cila depërtoi në shoqërinë islame nga fundi i periudhës osmane përmes ndikimit perëndimor, është emërtuar si rûhiye ose spiritizëm.

Përkrah atyre që mendojnë se nuk ka ndonjë dallim midis spiritualizmit dhe spiritizmit, ka edhe nga ata që pretendojnë se këto janë koncepte dhe rryma të ndryshme. Për shembull, ndërsa mendimi që “pranon ekzistencën e shpirtit si një parim vetjak e i pavarur te njeriu” quhet spiritualizëm, pikëpamja dhe besimi që pretendon se “shpirtat e të vdekurve jetojnë në mënyrë të mëvetësishme dhe se nëpërmjet mediumeve mund të krijohet lidhje me ta” emërtohet si spiritizëm. Nga ana tjetër, spiritizmi është kuptuar dhe ka marrë trajtë gjerësisht, më tepër si “thirrje e shpirtrave” (Bolay, 200-201).

Me në krye spiritualizmin, konceptimet dhe praktikat okulte – si teozofia, leximi i mendjes, astrologjia dhe kërkimet psikike – u formuan dhe u përhapën në Perëndim si mendime e besime alternative ndaj Krishterimit. Shoqëria Teozofike, e themeluar në Amerikë, shërbeu si hapi i parë për lëvizjet dhe mendimet e reja (New Age) që u shfaqën në kohët moderne. Veçanërisht me qindra mësues shpirtërorë (guru) të ardhur nga vendet e Azisë, duke shfrytëzuar këtë terren artificial shpirtëror, u shndërruan në një nga përbërësit kryesorë të rrymave të reja bashkëkohore (Demiryürek, 20, 27). Megjithatë, kjo ecuri nuk duhet parë si e vetmja arsye. Sepse, përkrah materializmit dhe pozitivizmit që u zhvilluan në Perëndim, veçanërisht shpërbërja e Krishterimit me shfaqjen e Protestantizmit dhe lindja e qindra konceptimeve të ndryshme kishtare, krijuan një strukturë shoqërore të ndërlikuar dhe çuan në kërkime të ndryshme shpirtërore e spiritualiste. Përveç kësaj, edhe qasja tejet individualiste dhe e pakufizuar e lirisë i shtyu individët drejt përvetësimit të perceptimeve, vlerave dhe praktikave fetare bazuar mbi dëshirat vetjake.

Si përfundim, kërkimet spiritualiste kanë ndjekur dy rrugë: ose janë shndërruar në lëvizje alternative ndaj fesë, ose kanë mbetur brenda saj duke prodhuar praktika e rite paralele, por gjithsesi, duke ruajtur vlerat dhe zakonet e saj. E para përbën një kërkim për fe alternative, ndërsa e dytë një kërkim për fe paralele. Megjithatë, duke qenë se shumica e këtyre përvetësimeve nuk zotërojnë një strukturë sistematike dhe tërësore, është mjaft e vështirë t’i emërtosh si lëvizje fetare apo akse mendimi. Shumë prej tyre paraqesin dukjen e një mode apo të një produkti tregu që ndizet e fiket rrufeshëm, duke ndryshuar vazhdimisht trajtë e përmbajtje. Ndryshimet e menjëhershme të ndjenjave, kënaqësive dhe dëshirave te personalitetet bashkëkohore, si dhe ezaurimi i diskursit e i imazhit me kalimin e kohës, shkaktojnë ngritje dhe rënie të papritura në tregun spiritualist. Kjo gjë i detyron ata që, si modistë, t’i ofrojnë tregut vazhdimisht modele të reja. Në fakt, disa hulumtues shprehen se Amerika, si vendlindja e spiritualizmit modern, është shndërruar në një treg spiritual (Mirza, 33-38). Parë nga ky këndvështrim, spiritualizmi shfaqet si një aktor tregu që i premton audiencës së synuar një jetë të mirë e cilësore. Edhe pse ky aktor mund të ofrojë një lehtësim në një afat të shkurtër, është fakt se, në një periudhë më të gjatë kohore ai shpie në zhgënjime të thella.

Në kuptimin filozofik, zanafillën e pikëpamjes spiritualiste është e mundur ta çojmë deri te Pitagora. Ai është njëkohësisht edhe babai i organizimit të parë ezoterik në botë. Megjithatë, përpara tij, konceptimet spiritualiste ishin të pranishme, në njëfarë forme, në Kinë, Indi dhe Egjipt. Pitagora besonte se shpirti zotëron një personalitet të pavarur nga trupi dhe se ai e siguron vazhdimësinë e vet duke kaluar në trupa të tjerë. Ky konceptim i tij lindi si reagim ndaj natyralizmit grek. Shfaqja e spiritualizmit në kohët moderne si reagim ndaj materializmit është mjaft kuptimplotë nga ky këndvështrim. Pikëpamjen spiritualiste të nisur prej tij e zhvilloi Platoni, ndërsa Plotini, themeluesi i Neoplatonizmit, gati-gati, i dha trajtën përfundimtare. Pranimi i Plotinit se edhe Zoti është shpirt, të kujton në njëfarë mase panteizmin e Spinozës (Bolay, 268).

Spiritualizmi, i cili lindi si reagim ndaj materializmit, në periudhën moderne mori qendrën e vëmendjes përmes eksperimenteve të “thirrjes së shpirtrave” (spiritizmit). Përmes këtyre eksperimenteve u tentua krijimi i një imazhi shkencor të mbështetur në eksperiment dhe vëzhgim – duke u shkëputur kështu nga spiritualizmi klasik – rrymë kjo, që u emërtua “spiritualizëm eksperimental”. Dihet se seanca e parë e thirrjes së shpirtrave është zhvilluar në vitin 1848 nga dy motra që jetonin në Nju Jork. Zhvendosja e objekteve në shtëpinë e tyre, pa ndonjë shkak fizik, u lidh me praninë e shpirtrave. Në seancat e zhvilluara, ndikimi i njerëzve përmes trillimeve sekrete – si kërcitja e fshehtë e gishtave – bëri që ato të bëheshin të famshme si mediume, dhe brenda një kohe të shkurtër, interesi ndaj mediumësisë në Amerikë u rrit së tepërmi. Si rrjedhojë e rritjes së interesit, nisën të shkruheshin vepra mbi spiritualizmin dhe të themeloheshin shoqata psikike. Ajo që është mjaft interesante është se pjesë e këtyre shoqatave u bënë edhe shkencëtarë të njohur si William B. Carpenter, Alfred Russel Wallace dhe William James (Gözütok, 63-64).

Depërtimi i kësaj rryme në shoqërinë osmane përkon me mesin e shekullit XIX. Shfaqjen e parë spiritiste e ka realizuar Avnullah Kazëm Beu, i ati i Halide Nusret Zorlutuna, në vitin 1896 në Bergama. Sultan Abdylhamidi, kur u informua për këtë ngjarje, pas dyshimeve, nisi një hetim. Ndërkaq, fillimi i procesit të hartimit të veprave mbi spiritualizmin përkon me periudhën e parë të shekullit të njëzetë. Aktiviteti i parë periodik në këtë fushatë është revista İspritizma, e botuar në vitin 1910 nga Mehmed Bahaeddini. Ndërsa revista e dytë është publikuar me titullin Miftâhu’l-Esrâr: Bekâ-yı rûh; Celb-i ervâh (Çelësi i Sekreteve: Përjetësia e Shpirtit; Thirrja e Shpirtrave). Nga shprehja “celb-i ervâh” (thirrja e shpirtrave) në titullin e revistës së dytë kuptohet qartë se tema e saj bazë dhe fusha kryesore e interesit ishte thirrja e shpirtrave.

Spiritualizmi i parë institucional në Turqi është “Shoqëria e Hulumtimeve Metapsikike dhe Kërkimeve Shkencore e Turqisë”, e themeluar nën udhëheqjen e Dr. Bedri Ruhselman. Përmes kësaj shoqërie, spiritualizmi u përhap mes intelektualëve dhe disa shkencëtarëve. Peyami Safa u bë një nga figurat më të rëndësishme që e përqafoi këtë temë me entuziazëm. Përveç se shkruante artikuj mbi spiritizmin me pseudonimin Server Bedi në revistën Hafta në vitin 1934, ai e çoi punën deri në zhvillimin e seancave të thirrjes së shpirtrave. Mes atyre që mendonin si ai, gjendeshin edhe emra të tillë si Enis Behiç Koryürek, Sadettin Arel, Macit Gökberk, Asım Us dhe Hamdullah Suphi Tanrıöver. Spiritualistët besonin aq fort në vërtetësinë e kësaj ideologjie, saqë e dënonin kategorikisht keqpërdorimin e saj nga persona me qëllime të këqija (Gözütok, 65-66).

Fatkeqësisht, besimi i pranishëm në mendimin ezoterik dhe në filozofinë klasike, sipas të cilit shpirti zotëron një personalitet të pavarur nga trupi dhe se në botën tjetër do të ketë një jetë shpirtërore, shihet si një nga arsyet kryesore pse rryma e spiritizmit, e cila në kohët moderne, përkrah varianteve të shumta të spiritualizmit, ngre pretendimin e “thirrjes së shpirtrave dhe bashkëbisedimit me ta”, depërtoi lehtësisht dhe u përhap lirisht në botën islame.

Arsyet Që Çojnë Drejt Spiritualizmit

  1. Në krye të shkaqeve që çojnë drejt spiritualizmit qëndron mendësia e cila, me përhapjen e materializmit, e redukton njeriun te trupi dhe te nevojat e tij. Përqendrimi i tepërt te kënaqësitë dhe nevojat e trupit, në mungesë të mosplotësimit të pritshmërive, shpie here në dëshpërim ose pesimizëm, e herë drejt kërkimeve të shtrembëta dhe devijante. Megjithatë, kur mangësive dhe pakënaqësive trupore të paplotësuara, u shtohen edhe ngjarjet negative që zhvillohen papritur dhe që nuk mund t’i bëhet ballë, zhgënjimet thellohen, kësisoj, shfaqet motivi për t’i dhënë rëndësi anës së padukshme të trupit dhe për t’u drejtuar kah prirjet e rrymat spiritiste. Për shkak se pjesa më e madhe e atyre që ndodhen në këtë prirje janë larg dijes, vlerave dhe përvojës fetare të shoqërisë ku jetojnë, për të kompensuar zbrazëtirën e krijuar në mendje, ata shtyhen drejt kërkimeve shpirtërore dhe misterioze jashtëfetare.
  2. Edhe pse njeriu modern posedon mundësi të mëdha materiale, dhe si asnjëherë më parë i ka plotësuar të gjitha nevojat e tij të përditshme, është fakt i pakundërshtueshëm se zbrazëtirat emocionale të krijuara në zemrën dhe mendjen e tij nuk mund të plotësohen me to. Njeriu që ndodhet në një gjendje të tillë, për të shuar dhe disi për të shtypur zbrazëtirën emocionale brenda vetes, ose i drejtohet dëfrimit dhe kënaqësisë, ose ndjek rrugën e shtypjes dhe mohimit të besimeve e vlerave të tij të mëparshme. Në rastet kur këto nuk shpërfaqen, shfaqet prirja për t’i shpëtuar përgjegjësive dhe për t’u distancuar nga jeta reale (Güvenç, 191). Megjithatë, as kënaqësia e as dëfrimi, as arratisja nga përgjegjësitë, nuk mjaftojnë për ta bërë plotësisht të lumtur dhe as nuk e sigurojnë shpëtimin nga negativitetet. Sepse këto arratisje sjellin thuajse një gjendje dehjeje mashtruese, bëjnë që tensionet e brendshme të harrohen për një farë kohe dhe sigurojnë një lehtësim të përkohshëm. Por kushtet dhe sprovat e jetës reale mbeten po aty ku ishin. Pikërisht në këtë çast, mendimet dhe strukturat spiritualiste që dalin në skenë, me pretendimet e “shërimit tejmaterial, pastrimit shpirtëror dhe qetësimit të shpirtit” fillojnë të tërheqin vëmendjen e tij. Meqenëse në kohët moderne, imazhet e feve janë cenuar dhe i janë nënshtruar kritikave të vazhdueshme negative, kthimi te feja nuk u duket aspak tërheqës këtyre njerëzve, që tashmë janë larg fesë dhe përvojës fetare. Si përfundim, ngushëllimi i këtyre njerëzve bëhen mendimet dhe rrymat spiritualiste, që e paraqesin veten brenda kallëpeve moderne dhe që janë shndërruar në modë. Duke e ditur këtë, spiritualistët, në vend të emërtimeve lokale për punët që bëjnë, si “falltor, magjistar, shtrig, xhind etj…”, parapëlqejnë emërtime të transmetuara nga gjuhët perëndimore, ose të transferuara në Perëndim nga besimet e Lindjes së Largët, të cilat kanë fituar trajtë dhe përmbajtje bashkëkohore, të tillë si: “medium, spiritualist metafizik, jogë, reiki, astrologji, parapsikologji, misticizëm, okultizëm, ezoterizëm, metapsikik, spiritualizëm, neo-spiritualizëm, teozofi…etj”. Për më tepër, për të tërhequr vëmendjen, ata e paraqesin veten si “zbulues të mistereve të universit” ose si “kërkues dhe shpjegues të së vërtetës”.
  3. Njeriu që përpiqet të hedhë poshtë ose të mohojë vlerat që ekzistojnë në mendjen e tij, pa krijuar dhe pa zbuluar një botë vlerash të reja, kur ndeshet me realitetin, përjeton një gjendje hutimi dhe pëson zhgënjim. Sepse, sikurse natyra nuk pranon vakum, as mendja njerëzore nuk pranon boshllëk. Nëse, në vend të vlerave të shtypura nuk mund të vendosen të reja, atëherë vendin që mendohej se ishte bosh, e zënë vlerat e vjetra që vazhdojnë ende të jenë prezente. Shembulli më goditës i kësaj është se, përballë një rreziku të madh, te personat që pretendojnë se janë ateistë dalin në pah besimet e vjetra dhe fragmentet e copëtuara të lutjeve.
  4. I kapluar nga mendimi se gjithçka mund të arrihet me para dhe materie, njeriu bashkëkohor ushqen besimin se, edhe zbrazëtirën e tij shpirtërore e morale do ta zgjidhë kësisoj. Ky mendim i shndërron ata në klientin e preferuar të sektorit spiritualist. Në fakt, po të kemi parasysh se klientët e spiritualistëve përbëhen kryesisht nga persona me gjendje të mirë ekonomike, kjo e vërtetë shihet fare lehtë.
  5. Në kohët moderne, dëshira për të zbuluar misterin, kërkimi i së vërtetës apo gjetja e shërimit u duket tërheqëse disa njerëzve, të cilët joshen dhe tërhiqen pas fjalëve dhe recetave kryesisht boshe, të paraqitura nën emërtimin “e vërtetë absolute, zgjidhje përfundimtare, shërim i garantuar”. Iluzioni i sigurisë, entuziazmi i zbulimit dhe ndjenja e çlirimit të menjëhershëm, bëjnë që të anashkalohet e vërteta se këto sugjerime, nuk shërbejnë për asgjë tjetër veçse për të krijuar një lloj “efekti placebo” që lë pas, vetëm një lehtësim të përkohshëm.

Në kundërshtim me pretendimet e spiritualistëve, kur i hedhim një vështrim jetës, përmes optikës së mjedisit botëror dhe realitetit njerëzor, shihet qartë se jeta nuk është ngritur mbi bazën e sigurisë absolute, por mbi kushtet, mundësitë dhe gjasat. Në jetë çdo gjë i ka anët e veta të mira e të këqija, të dobishme e të dëmshme, të bukura e të shëmtuara. Ndonjëherë mjalti, që është burim shërimi, mund të veprojë si helm për njeriun, ndërsa ndonjëherë helmi i një akrepi mund të shndërrohet në ilaç shërues. Zhvillimet e papritura në dukuritë atmosferike dhe tokësore janë treguesi më goditës se siguria absolute nuk është aq e sigurt sa pretendohet. Pavarësisht gjithë zhvillimit teknologjik, ende nuk janë arritur njohuri përfundimtare në lidhje me dukuritë natyrore. Madje, ç’ka është më e rëndësishme, e vërteta se “njeriu është një qenie e paparashikueshme” vazhdon ta ruajë ende vlefshmërinë e saj.

Në këtë pikë, mendoj se do të jetë e dobishme të bëhet ky shpjegim për të pasqyruar këndvështrimin islam: Feja islame është emri i një sistemi që e pranon realitetin në të gjitha drejtimet dhe dimensionet e tij, si në të kaluarën ashtu edhe sot. Në të vërtetë, Islami i paraqet njeriut kuptimin e “të qenit i matur” ose të “ndodhurit mes shpresës dhe frikës” (بين الرجاء والخوف), në përputhje me realitetin e jetës. Megjithatë, ky sugjerim nuk u duket tërheqës atyre që janë kapluar nga vorbulla e prirjeve absolute sipas mendjes së tyre, sepse ajo nuk u jep një ndjenjë sigurie absolute. Ndërkohë, e vërteta e jetës është pikërisht ajo që kumton Islami. Për ta thënë me një krahasim, nëse gjatë drejtimit të makinës nuk i merr parasysh njëkohësisht edhe pedalin e gazit edhe atë të frenit, është e pashmangshme që të përballet me aksidente dhe probleme të rënda të vështira për tu rikuperuar, të bjerë në gropën e dëshpërimit të thellë dhe të pësojë zhgënjim. Në të vërtetë, ata që i shohin pretendimet e tyre si absolute dhe e japin veten pas këtyre rrymave, kur ballafaqohen me realitetin, pësojnë zhgënjime të rënda, madje përjetojnë edhe trauma psikologjike. Megjithatë, njeriu është një qenie që përbëhet nga uniteti shpirt-trup dhe nuk bëhet fjalë që njëri të veprojë i pavarur nga tjetri. Njeriu që nuk e njeh veten, në këtë mënyrë e copëton veten në mendjen e tij.

Aq sa shuarja e dritës së shpresës apo ushtrimit të trysnisë mbi ëndrrat e njerëzve është e gabuar, po aq e gabuar është edhe dhënia e një shprese të tejskajshme apo kapja pas ëndrrave që nuk kanë asnjë gjasë të realizohen. Në këtë jetë, as nuk duhet shpërfillur mundësia e ndeshjes me vështirësi dhe as nuk duhet humbur shpresa për të qenë në gjendje t’u bëhet ballë vështirësive. Fjala e Allahut të Madhëruar: “Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi!, Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi!” (Inshirah, 94/5-6), shpjegon se njerëzve u janë dhënë vullneti dhe mundësitë për t’i bërë ballë vështirësive të përjetuara, e për rrjedhojë rënia në dëshpërim është e pambështetur. Me fjalë të tjera, personat që e përdorin mendjen dhe vullnetin e tyre në përputhje me fitran (natyrën e pastër të krijimit), janë të vetëdijshëm se pranë vështirësive ka më shumë se një lehtësim. Ndërkaq, vështrimi me shpresë përballë ngjarjeve dhe dukurive e forcon vullnetin për të kapërcyer vështirësinë dhe e përshpejton kërkimin e zgjidhjes. Nga ana tjetër, fakti që në ajet përmendet se pranë një vështirësie gjenden dy lehtësime, tregon se për njeriun shpresa e zgjidhjes dhe e kurimit është gjithmonë më e madhe se një (Kula, 35-36).

  1. Një tjetër çështje që e shtyn njeriun modern drejt kuptimit spiritualist është cenimi, zbrazja e përmbajtjes apo zgjerimi dhe ngushtimi i tejskajshëm kuptimor i nocioneve në fenë tradiconale, në shkencë dhe në kulturë. Shembulli më tipik i kësaj është nocioni i të qenit shpirtëror (Arb. manevî) ose termi i spiritualitetit (manevijat). Nocioni “manevî” (shpirtëror), sipas fjalorit, nënkupton “të qenit i përkatësuar ose i atribuar një kuptimi”, ndërsa në fushën shoqërore dhe kulturore, ai përdoret si “e kundërta e materiales”, kurse shumësi i tij, manevijat, do të thotë “e kundërta e materializmit” (Sipas Fjalorit të TDK-së dhe Fjalorit Kubbealtı). Në këtë kontekst, i njëjti nocion ka fituar edhe kuptimin “që lidhet me fenë dhe besimin”. Në përputhje me këtë, kur flitet për vlera shpirtërore ose fushë shpirtërore, në përgjithësi kërkohen të shprehen vlerat fetare ose fusha fetare. Megjithatë, qarqet që priren ta mbajnë veten larg fesë, ashtu siç përdorin termin etikë në vend të moralit, duke u përpjekur të ndërtojnë një moral të pavarur nga feja dhe Zoti, përpiqen gjithashtu t’i japin spiritualitetit një ngarkesë kuptimore larg fesë dhe Zotit. Si pasojë e kësaj tentative, pretendohet se fjala spiritualitet ka kuptimin e ” asaj që e tejkalon fenë, që është e pavarur nga feja”. Madje është bërë përpjekje për të shkruar edhe libër mbi virtytet, pa folur fare për fenë dhe për elementin fetar (Göka, 21).

Në të vërtetë, me këtë qasje duket se synohet t’i jepet spiritualitetit një hapësirë dhe pozitë paralele ose alternative ndaj fesë. Në të njëjtën kohë, feja reduktohet në nivelin e njërës prej alternativave. Për shkak se në perëndim feja përfaqësohet përmes strukturave institucionale si kisha, dhe njeriu fetar është person i regjistruar zyrtarisht në një nga këto institucione, ata që nuk janë të regjistruar në kishë konsiderohen të larguar nga devotshmëria dhe përkatësia fetare. Ndërsa personat me përkatësi fetare i plotësojnë nevojat e tyre shpirtërore në institucionet fetare, rrymat e reja spiritualiste bashkëkohore i përmbushin nevojat shpirtërore përmes strukturave institucionale që themelojnë, të ngjashme me shoqatat, bashkësitë dhe komunitetet fetare. Në këtë rast, rrymat spiritualiste, përveç pretendimit për të përmbushur nevojat shpirtërore, shërbejnë edhe si një lloj strehe për kërkimet shpirtërore të personave që ndodhen në një pozitë të pavarur.

Ndërkaq, në vendet islame si Turqia, përkatësia fetare nuk ka ndonjë regjistrim zyrtar. Xhamitë dhe mesxhidet nuk janë institucione formale ku mbahen regjistrime dhe paguhen taksa, siç ndodh me kishat. Prandaj, ngjashëm me Perëndimin, përdorimi i nocionit të spiritualitetit të pavarur nga feja, në Turqi është mjaft i vështirë. Kur flitet për spiritualitet (manevijat) në gjuhën turke, kuptohet “dijenia fetare ose gjendja e të qenit i lidhur si në teori ashtu edhe në praktikë me besimet dhe vlerat fetare”. Megjithatë, si pasojë e ndikimeve nga Perëndimi, sidomos qarqet që mbajnë qëndrim të distancuar ndaj fesë, e përdorin nocionin e spiritualitetit në kuptimin e një përvoje tejkaluese (transhendente) që e quajnë “spirituale”, jashtë kuptimit të besimit, adhurimit dhe moralit të Islamit. Atë që bëjnë, ata e shohin si zgjedhje të njërës prej rrugëve të kërkimit dhe drejtimit shpirtëror (Düzgüner, 184-185).

Kuptimi i Shpirtit në Islam

Islami, përveç se i pranon si trupin ashtu edhe shpirtin si një realitet, deklaron gjithashtu bindjen se mes tyre nuk ka ndarje, por duhet të respektohet dhe të mbrohet ekuilibri dhe harmonia e natyrshme (Adetullah) që ekziston mes tyre. Sipas kësaj, e vërteta e njeriut nuk mund të reduktohet as vetëm te trupi e as vetëm te shpirti; të dyja mendohen si një e tërë e ekuilibruar brenda kornizës së natyrshmërisë së krijimit (fitra).

Edhe pse shpirti dhe trupi, të cilët bëjnë pjesë në elementët e universit, në planin konceptual dhe teorik mendohen të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe në mënyrë kategorike të pavarur prej njëri-tjetrit, në planin funksional dhe të funksionimit të natyrshëm (fitra) kjo ndarje dhe pavarësi nuk duket e mundur. Zhdukja e bashkësisë shpirt-trup shkakton fenomenin e vdekjes. Kjo do të thotë se ekziston një lidhje e detyrueshme midis vazhdimësisë së jetës dhe tërësisë shpirt-trup. Ajo që duhet pasur parasysh këtu është se vdekja vlen për njeriun që është tërësia shpirt-trup, dhe se përveç kësaj nuk mund të flitet për vdekjen e shpirtit apo të trupit. Madje, në një rast vdekjeje thuhet “njeriu vdiq” e nuk thuhet “shpirti vdiq” ose “trupi vdiq”. Me fjalë të tjera, vdekja është një ngjarje që vlen për njeriun si pasojë e ndarjes së shpirtit nga trupi.

Ky kuptim mbështetet në të vërtetën që sipas Kuranit Famëlartë trupi dhe shpirti i Ademit (a.s.) janë krijuar njëri pas tjetrit. Në të vërtetë, edhe ngjarja e ringjalljes pas Kiametit do të realizohet me ribashkimin e shpirtit me trupin, kurse jeta e amshuar e ahiretit do të jetë një jetë trupore në kuadër të bashkësisë dhe tërësisë shpirt-trup. Kuptimi i kësaj është se në ringjallje çdo shpirt do t’i kthehet trupit ku ka qenë më parë, dhe nuk do të bëhet fjalë për kalimin e tij në një trup tjetër apo për të mbetur i pavarur.

Nga ana tjetër, pretendimi se shpirti gëzon një ndarje funksionale plotësisht të pavarur nga trupi, sjell me vete besimin – siç e parashtrojnë disa – se “shpirti nuk është krijuar / është i përjetshëm”. Megjithatë, në mendimin islam nuk ka asnjë ndryshim mes shpirtit dhe trupit për sa i takon faktit se janë qenie të krijuara. Kur flitet për njeriun, kuptohet “një strukturë e tërë ku ndodhen bashkë shpirti i krijuar dhe trupi i krijuar”. Dallimi kryesor mes tyre është se, ndryshe nga trupi, shpirti ka një strukturë të tejdukshme dhe nuk shihet. Në të vërtetë, as shpirtit vetëm, e as trupit vetëm, nuk mund t’i thuhet njeri; njeriu formohet nga bashkimi i të dyve. Ashtu si uji nuk mund të reduktohet te përbërësit e tij, oksigjeni dhe hidrogjeni, edhe njeriu nuk mund të reduktohet te përbërësit e tij, shpirti ose trupi. Prandaj, ne nuk e kemi mundësinë të themi se thelbi i ujit është vetëm oksigjeni apo vetëm hidrogjeni, sepse uji përbëhet nga bashkimi i të dyjave në një raport të caktuar.

Si përfundim, kur çështja shihet në kuadër të tërësisë Kuran-Synet, ndonëse në besimin islam pranohet ekzistenca e shpirtit, nuk i jepet vend një personaliteti të veçantë të tij të pavarur nga trupi. Personaliteti i përket njeriut brenda tërësisë shpirt-trup dhe rrjedhimisht mund të flitet për personalitetin e njeriut, ndërsa nuk mund të flitet për personalitetin e shpirtit ose të trupit. Nga këto që shpjeguam, duhet të jetë qartësuar dallimi mes besimit te shpirti dhe të qenit spiritist. Sipas kësaj, besimi islam, aq sa është i largët nga materializmi, aq është i largët edhe nga spiritualizmi; ai nuk e redukton realitetin as te materia e dukshme dhe as te shpirti i padukshëm, përkundrazi, ai përfaqëson një qasje origjinale që e njeh dhe e pranon realitetin e njeriut në të gjitha dimensionet e tij brenda tërësisë shpirt-trup (Karadaş, 114-151).

Nga: Prof. Dr. Cağfer KARADAŞ

Universiteti Uludağ i Bursës, Turqi

Përktheu: Qendra për Hulumtime, Minber

Referenca

  • Bolay, Süleyman Hayri, Felsefî Doktrinler Sözlüğü, İstanbul: Ötüken Neşriyat 1981.
  • Demiryürek, Ahmet Selim, Geç Modern Toplumda Dindar Kadınların Spiritüel Arayışları (Doktora Tezi), BUÜ. Sosyal Bilimler Enstitüsü 2024.
  • Düzgüner, Sevde, Maneviyat Algısı ve Yansımaları, İstanbul: Çanlıca Yayınları 2021.
  • Göka, Erol, Psikoloji Varoluş Maneviyat, İstanbul: Kapı Yayınları 2021.
  • Gözütok, Tarık Tuna, “Osmanlılarda Sözdebilim Tartışması: Spiritüalizm Örneği (1910)”. Kaygı. Bursa Uludağ Üniversitesi Fen-Edebiyat Fakültesi Felsefe Dergisi 22/1 (Mart 2023).
  • Güç, Ahmet, “Ruh Çağırma”, DİA, İstanbul 2008, XXXV, 200-201.
  • Gür, Ali, “Teosofi Kavramı ve Teosofi Düşüncesinin Tarihi Gelişimi”, Ekev Akademi Dergisi Yıl: 21 Sayı: 70 (Bahar 2017).
  • Güvenç, Emel, Manevi Danışmanlığın Felsefi Temelleri, Ankara: Eski Yeni Yayınları 2024.
  • Karadaş, Cağfer, Kelam Düşüncesinde Evren ve İnsan, Bursa: Emin Yayınları 2011.
  • Kula, Mustafa Naci, “Kur’an-ı Kerim Merkezli Manevî Danışmanlık ve Rehberlik: İnşirah Suresi, Bakara Suresi 155 ve Mülk Suresi 2. Ayetleri Örneği”, Manevi Danışmanlık ve Rehberlik Maneviyat Psikolojisi VI, edit: Mustafa Atak-Sefa Bulut, Ankara: Nobel Yayınları 2024, s. 35-36.
  • Mirza, Gözde Nur, Yeni Dinselleşme Eğilimleri ve Maneviyat Arayışları, İstanbul: Boğaziçi Üniversitesi Yayınevi 2018.
  • Yıldırım, Tahsin, “Edebiyatçılar İspritizma Masasında” https://ëëë.lacivertdergi.com/dosya/2025/01/17/edebiyatcilar-ispritizma-masasinda, 05.04.2025; 23:33.

 

 

 

 

Artikuj të ngjashëm